Autoritetet bullgare vijojnë hetimet në lidhje ne aksidentin tragjik të dy ditëve më parë, ku një autobus i kompanisë “Besa Trans” shpërtheu në flakë dhe për pasojë humbën jetën 44 persona, shumica prej të cilëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, Marian Marinov, hetues i Shërbimit Investigues Kombëtar, ka folur në lidhje me atë se çfarë i ka ndodhur shoferit të autobusit pak momente para përplasjes.
Sipas Marinov, përplasja me parmakun mbrojtës të rrugës ka bërë që të çahet serbatori i autobusit dhe pas kontaktit me parmakët janë krijuar shkëndija që mund të kenë çuar në shpërthimin e flakëve.
Marinov tha:
Shoferi i autobusit reagoi para përplasjes me parmakun mbrojtës, por e bëri këtë veprim në sekondat e fundit. Ai devijoi në të djathtën, për arsye të panjohura, duke u futur në mes të dy parmakëve. Pikërisht këto parmakë u kthyen në pengesa për të hapur dyert. Dera e parë e autobusit kishte dalë jashtë funksionit nga goditja, përveç kësaj aty kishte edhe flakë që i pengonin njerëzit të dilnin jashtë. Ndërsa dera e pasme ngeci nga parmakët mes dy korsive. Ky nuk është më autobus, por mbetje të një autobusi. Disa qindra metra larg vendit të ngjarjes gjetëm një copë gome, por doli se nuk ka lidhje me autobusin.