Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin Pressing, ka folur lidhur me cështjen e mundësisë që Partia Demokratike e Kosovës të futet në koalicionin aktual qeverisës.
Hoti ka thënë se nuk ka ndryshim në skenën politike sepse qeveria është në kapacitete të plota.
“Nuk ka asnjë ndryshim në skenën politike. Qeveria është në kapacitete të plota kushtetuese. Presidenti gjithashtu”, është shprehur Hoti.
Tutje, Hoti refuzoi të komentojë diçka të tillë për të cilën tha se është situatë hipotetike, megjithatë nuk përjashtoi mundësinë që PDK’ja të futet në qeveri.
“Duhet të jemi realist që pas këtyre zhvillimeve mund të krijohet situatë e re politike, kur le të supozojmë se duhet të zgjedhim president të ri në kuvend. Por ne nuk mund të diskutojmë për situata hipotetike”, ka thënë Hoti.
Ai gjithashtu kujtoi se cilat janë zgjidhjet nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, jep dorëheqje për shkak të akuzave që janë drejtuar ndaj ti nga Prokuroria Speciale.
“Nëse krijohet një situatë e re të cilën nuk do ta doja, ku presidenti jep dorëheqje. Janë dy alternative, ose forcat politike të bëhen bashkë të zgjedhin presidentin e ri ose vendi të shkojë në zgjedhje”, shtoi Hoti.