Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një letre të hapur ka kërkuar nga PDK-ja largimin e personave, të cilët ai konsideron se bartin përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se tkurrja e PDK-së, arriti pikën alarmante, për shumë arsye.
Lladrovci ka shkruar se dështimi është paralajmëruar qysh në zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe rrëzimi i Qeverisë Kurti.
“Dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematik të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij.E gjithë kjo, nuk ishte e mjaftueshme për të marrë mësim.Qytetarit nuk i mjaftoi historia, as fjalët e bukura. Atij i kanë munguar veprat. Ai të ndëshkon për ato që i bën keq dhe ato që nuk i ke bërë mirë. PDK ka bërë gabime për të pritur rezultat tjetër, për fat të keq, këtë e ndihmuan jo vetëm keqbërësit, por edhe karrieristët e regjur dhe profiterët vendorë e ndërkombëtarë.”.
Gjithashtu, Lladrovci ka kërkuar lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia, që sipas tij, në opinion ka pasur dhe ka hipoteka e pandershmëri, vepra penale apo akuza.
E lidhur me rezultatin dhe gjendjen në PDK, për gazetën “Bota sot” ka folur politologu, Gurakuç Kuçi.
“PDK-ja ka arritur ta ruaj një substancë votuesish vetëm duke ndenjur në opozitë. Sikur të mos e kish përkrahur edhe mocionin ndaj Qeverisë Kurti 1 do ishte edhe më e suksesshme duke pasur parasysh që nuk i ka liderët këtu. Ky rezultat domosdo e fut në kërkim përgjegjësie brenda partisë për humbjen e tmerrshme. Kjo kërkesë është e natyrshme te vij nga ata si z. Lladrovci ku ai përsëri e ka ruajtur votën për PDK-në në Komunën e tij dhe gjithashtu është treguar e vlerësuar si i suksesshëm në qeverisjen komunale”, thotë Kuçi për “Bota sot”.
Sipas tij, dorëheqja duhet të nis që nga Enver Hoxhaj e Uran Ismajli.
“Kjo nuk d.m.th. që e shtyn në përplasje deri në përçarje por që do ketë domosdo dorëheqje e shkarkime nëpër degë e nëndegë, por assesi nga Qendra. Realisht dorëheqja do duhej te fillonte nga Enver Hoxhaj e Uran Ismajli për udhëheqje e menaxhim të PDK-së drejt humbjes së tmerrshme”, thekson politologu Kuçi për “Bota sot”.
Për fund, Kuçi shprehet se PDK do të vazhdojë të mbetet e njëjta dhe do vazhdoj rënia e saj.
“PDK-ja nëse dëshiron rikthim në skenë duhet të rikonceptualizoj vetën qoftë nga udhëheqja subjektive, ajo ideologjike e programore dhe qasja drejt kërkesave të qytetarëve. Por duke parë konservatorizmin e tyre dhe mos përgjegjësinë ndaj elektoratit, PDK-ja besoj substancialisht do vazhdoj të mbetet e njëjta dhe në dëm të vetvetes. Ri fuqizimet brenda partiake si e z. Lladrovci e z. Lushtaku nuk përbëjnë ndonjë gjë të re e as ndonjë gjë në të mirë të ngritjes së partisë”, përfundon për “Bota sot”, politologu Gurakuç Kuçi.