Kjo ishte e tëra. Toni Kroos edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës si futbollist të dielën, dy ditë pas eliminimit nga Spanja në çerekfinalen dramatike të Kampionatit Evropian.
Zëvendësuesi Mikel Merino e shënoi golin e fitores në minutën e fundit të vazhdimeve dhe i dha fitoren Spanjës, 2:1.
Me këtë fitore, Spanja e eliminoi nikoqiren e turneut, ndërsa Kroosi e mbylli karrierën si futbollist aktiv.
“Kaq ishte”, ka shkruar Kroos në llogarinë e tij në Instagram të dielën. “Por para se të pushojë pak, të paktën do të mundohem të kujtoj çfarë ka ndodhur në 17 vjetët e fundit e të mos e humb mundësinë t’i falënderoj të gjithë që më kanë pranuar ashtu siç kam qenë dhe ashtu siç jam”.
Fituesi i Kupës së Botës falënderoi tifozët, klubet, trajnerët dhe bashkëlojtarët, si dhe shoqërinë dhe familjen, duke shtuar se “nuk ka gjë më të mirë sesa fëmijët të jenë krenarë me babanë e tyre”.
Kroosi ka fituar shumë tituj, më së shumti me Real Madridin, por edhe me Bayern Munichun – gjashtë Liga të Kampionëve, katër La Liga, tri Bundesliga, tri Kupa të Gjermanisë dhe një Kupë të Mbretit.