Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 28-të në Albi Mall Superligë i është ndarë sulmuesit të KF Llapit, Ardit Tahirit.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashtica, Milaim Humolli dhe Isuf Llulmnica.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e njëzet e tetë t’i takojë Ardit Tahiri, i cili shënoi dy golat në fitoren 2:3 të Llapit në ndeshjen e rëndësishme kundër SC Gjilani.
Pasi mori këtë çmim, Tahiri u shpreh i lumtur që u vlersua më i miri i javës: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë dje. Jemi përgatitur maksimalisht që të dalim me pikë të plota dhe ja arritëm. Ishte një ndeshje e luftuar nga lojtarët deri në fund, treguam që kemi shumë karakter brenda ekipit dhe u shpërblyem me tri pikë”.
“Forma ime nuk do të vinte në pah nëse ekipi nuk do të funksiononte mirë – kjo është falë bashkëlojtarëve”.
“Qëllimi ynë është që të fitojmë të gjitha ndeshjet e fundit dhe të dalim në garat evropiane, qoftë përmes Kupës apo përmes Ligës, pasi që të dyja gjasat i kemi. Por qëllimi kryesor mbetet Kupa e Kosovës”.
“Të shpallesh më i miri i xhiros është ndjenjë shumë e mirë, pasi që kjo ka shije edhe më të mirë kur fiton. Falënderoj bashkëlojtarët dhe familjen time për përkrahjen.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.