Boksierja algjeriane Imane Khelif ngriti një padi në Francë për shkak të abuzimit që përjetoi në rrjetet sociale gjatë Lojërave Olimpike në Paris.
Khelif fitoi medaljen e artë olimpike në Paris në kategorinë deri në 66 kilogramë, por betejat që ajo zhvilloi në ring ishin të lehta në krahasim me ato që zhvilloi jashtë ringut.
Ajo është kritikuar për faktin se ishte një ‘burrë’ pasi Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) e përjashtoi nga Kampionatin Botëror të 2023 dhe e ndaloi nga Lojërat Olimpike.
Megjithatë, ajo u shfaq në Paris sepse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ndërpreu bashkëpunimin me IBA dhe e lejoi atë të performonte në ekspozitën më të madhe sportive në botë.
Pas çdo beteje, ajo merrte shumë ofendime në rrjetet sociale, ndërsa tani vendosi të hidhte një hap konkret për t’u mbrojtur.
Avokati i saj Nabil Boudi njoftoi se Khelif ka paraqitur një ankesë ligjore në Francë për abuzim dhe ngacmim në rrjetet sociale.
“Boksierja Imane Khelif ka vendosur të luftojë përsëri pas medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Parisit. Ajo dëshiron të luftojë për drejtësi, dinjitet dhe nder. Miss Khelif ka ngritur një padi për ngacmim kibernetik”, tha Boudi.
Khelif nuk i përmendi autorët e krimit në padi, por prokurorët francezë do të përcaktojnë se kush është fajtori nëse nisin një hetim.