Cassie Ventura, ish-partnerja e artistit të njohur Sean “Diddy” Combs, është drejt përfundimit të dëshmisë së saj, teksa iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve pas një seance të gjatë ku u mor në pyetje nga avokatët e Diddy-t. Para trupit gjykues, ajo ka deklaruar se Diddy e kishte kërcënuar me publikimin e një videoje intime nëse nuk pranonte të merrte pjesë në të ashtuquajturin “freak-off”, një festë e njohur famëkeqe që ai organizonte.
Prokurorët e pyetën Cassie-n se çfarë kishte ndodhur gjatë fluturimit të kthimit nga Franca. Ajo dëshmoi se Diddy i kishte treguar një video ku ajo kryente marrëdhënie seksuale me një prostitutë. Më pas, hetuesit federalë e pyetën se çfarë i kishte thënë Diddy për këtë video. Cassie u shpreh se ai e kishte kërcënuar se do ta publikonte videon.
Pasi kishin zbritur në New York, sipas Cassie-t, Diddy i kishte kërkuar që të merrte pjesë në një “freak-off”, ndryshe videoja do të dilte në publik. Ajo ka treguar se këtë bisedë e kishte përmendur që në ditën e parë të dëshmisë së saj në gjykatë, kur kishte thënë se ndjehej e burgosur nga ky kërcënim dhe se kishte pranuar të merrte pjesë në atë festë vetëm që ai të ndalonte së kërcënuari.