Ish-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar
Një ditë pas eliminimit të papritur nga “Big Brother VIP Kosova”, reperi Gjesti ka bërë një lëvizje të befasishme duke hyrë në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”.
Por pas këtij transferimi të interesant duket të jetë fituesi i “Big Brother 6”, Anaid Kaloti, i cili ka zbuluar detaje mbi përfshirjen e tij në këtë proces.
Gjithçka filloi me një postim në InstaStory të Anaidit, ku ai ndau një bisedë me një ndjekëse të revoltuar nga eliminimi i Gjestit nga BBVK.
Në mbishkrimin e postimit, Anaidi shkroi: “Zoti na mëson të japim mundësi të dyta”, duke lënë të kuptohet përfshirjen e tij në rikthimin e reperit në qendër të vëmendjes.
Më pas, në një video ‘live’ në Instagram, Anaidi rrëfeu historinë se si e kishte gjetur Gjestin në një hotel, të dëshpëruar dhe pa gjumë pas eliminimit të tij. Ai shtoi se e kishte ndihmuar reperin të nisej drejt Tiranës, ndërsa gjatë udhëtimit, Gjesti kishte fjetur në sediljen e pasme të veturës.
Një tjetër moment kyç gjatë udhëtimit ishte kur produksioni i “Big Brother VIP Albania” konfirmoi pranimin e Gjestit në spektakël. Anaidi ndau një video të reperit duke fjetur në makinë, duke theksuar vështirësitë dhe ngarkesën emocionale që kishte kaluar për t’u bërë pjesë e një gare të re. Ai më vonë postoi një video tjetër, këtë herë para hyrjes së Gjestit në shtëpinë e BBVA, duke lënë të kuptohet përmbushjen e misionit të tij si ndërmjetës.
Përfshirja e Anaid Kalotit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e të dy spektakleve kanë diskutuar për këtë transferim të papritur. Veprimi i tij është parë si një akt mbështetjeje dhe besimi tek Gjesti, duke i dhënë reperit një mundësi të re për të treguar veten në një format të ndryshëm.