Ushtria izraelite ka njoftuar të martën se zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut në fillim të këtij muaji.
Safieddine, kreu i këshillit ekzekutiv të Hezbollahut, supozohej të ishte pasardhësi i Hassan Nasrallah pas vrasjes së tij në fund të shtatorit, transmeton Telegrafi.
Sipas IDF-së, Safieddine u vra së bashku me kreun e divizionit të inteligjencës të grupit terrorist libanez, Hussein Ali Hazima, gjatë sulmit më 4 tetor.
Sulmi kishte shënjestruar selinë nëntokësore të inteligjencës në Bejrut, për të cilën thotë ushtria izraelite se gjendej në zemër të “zonës së banuar me civilë” në kryeqytetin libanez i njohur si Dahiyeh.
IDF-ja tha se më shumë se 25 anëtarë të inteligjencës të Hezbollahut gjendeshin në këtë seli kur ndodhi sulmi, përfshirë disa komandantë tjerë të lartë.