Burimet mjekësore palestineze nga Gaza njoftuan sot se numri i viktimave pas një javë konflikti me Izraelin arriti në 197, duke përfshirë 58 të mitur.
Më shumë se 250 qytetarë të plagosur të Gazës u evakuuan në Egjipt, në mënyrë që të shëroheshin nga plagët e tyre, sipas mjekëve dhe burimeve nga kufiri, raporton “Times of Israel”.
Tri autokolona që mbanin 263 palestinezë kaluan kalimin kufitar Rafah dhe hynë në rajonin egjiptian të Sinait të Veriut.
Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane dhe Sinai i Veriut njoftuan në Facebook se ekipet mjekësore ishin dërguar për të ndihmuar transportimin e të plagosurve.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi udhëzoi qeverinë të “hapte spitalet egjiptiane për të pritur të plagosurit nga Rripi i Gazës”, raportojnë mediat shtetërore në Egjipt.