I vrari në Lipjan erdhi nga diaspora disa ditë më parë
Familjet Hoxha dhe Jakupi nga fshati Ribar i Madh i Komunës së Lipjanit janë duke u mbikëqyrur nga Policia e Kosovës.
Kjo, pasi që djemtë e tyre janë gjuajtur me armë zjarri në mes të rrugës kryesore në fshatin Hallaq i Madh, ndërkaq nga plagët e marra ka mbetur i vrarë një 25-vjeçar, i cili para pak ditësh kishte ardhur nga diaspora dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Të gjithë të plagosurit janë duke u trajtuar në QKUK, derisa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia e Kosovës ka kryer edhe bastisjet në dy familje në të cilat kanë gjetur vetëm thika dhe shufra të metalit.
Derisa familjarët nuk kanë pranuar të flasin, të afërmit e tyre kanë thënë se këto dy familje nuk kanë pasur ndonjë problem në të kaluarën.
Komandanti i policisë në Magure, Naser Karpuzi, ka thënë se sipas informatave të para, mësohet se motivet e kësaj ngjarjeje janë familjare.
Ai ka thënë se hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.