Mbrojtësi i Ballkanit, Bajram Jashanica ka folur në konferencë për media, para ndeshjes kundër Viktoria Plzen, në Ligën e Konferencës.
Ballkani dhe Viktoria Plzen do të përballen të enjten nga ora 18:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Qendërmbrojtësi i Ballkanit, Bajram Jashanica shpreson që të vazhdojë gjatë me Ballkanin në Evropë. Ai theksoi se do të provojnë edhe fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Është ndjenjë e jashtëzakonshme të paraqitesh në këto nivele. Shpresojmë të vazhdojmë sa më gjatë me Ballkanin në Ligën e Konferencës. Jemi ende në garë. Të marrim ndeshjet një pas një. Nesër na duhet të përqëndrohemi dhe të japim maksimumin secili nga ne që do të paraqitemi në fushë” – tha Jashanica në konferencë për media, shkruan lajmi.net.
“Presion do të kemi gjithmonë futbollistët. Tani nuk kemi presion. E kemi arritur limitin si ekip kosovar. Tani jemi në rrugë të mirë. Nuk do të futemi me presion. Do të jetë një ndeshje e mirë për ne”.
“Përderisa jemi në këto niveli. Pse mos të provojmë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Por, ajo arrihet me punë dhe disiplinë. Pse mos të vazhdojmë ëndrrën tonë” – shtoi ai.
Ballkani zë vendin e tretë me katër pikë në Grupin C, një më shumë se Dinamo Zagrebi. Astana është e dyta me katër pikë po ashtu. Viktoria Plzen kryeson grupin me 12 pikë dhe ka siguruar kalimin tutje.