Java e tretë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të startojë sot me dy ndeshje që janë në program për tu zhvilluar.
Padyshim që kryendeshja e kësaj jave ishte Drita – Ballkani, por që është shtyrë për shkak të angazhimeve të kampionëve në fuqi të Kosovës në garat evropiane.
Vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Hajvali, ku në kampin nacional Prishtina është nikoqire e Malishevës.
Vendasit kanë marrë katër pikë në dy sfidat e para dhe pas atij barazimi kërkojnë të rikthehet te fitoret, por përballë kanë Malishevën që kanë marrë maksimumin e pikëve në dy sfidat e para.
Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.
Skuadra debutuese në elitë Feronikeli ’74 do të jetë nikoqir i Gjilanit tanimë të riorganizuar.
‘Industrialistët’ kërkojnë pikët e para në elitë pas dy humbjeve radhazi, derisa Gjilani synon të marrë pikë nga ky udhëtim.
Të dyja sfidat do të zhvillohen me fillim nga ora 16:00 me orarin e ri të vendosur nga FFK.