Më 61 vota pro ka kaluar rezoluta për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK’së, por të njëjtën nuk e votuan deputetët e VV’së dhe ata të Listes Serbe.
Të gjitha grupet parlamentare votuan pro dhe shprehën vullnetin për votimin e kësaj resolute, me përjashtim të VV’së dhe Listës Serbe.
Nga shefi i grupit parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi i cili po ashtu luftoi për UÇK’në, tha se nuk ka urgjencë për të votuar një gjë të tillë.
Madje ai ka shtuar se nuk ka koordinim me grupet e tjera parlamentare.
Kjo rezolutë i mori 61 vota pro nga të zgjedhurit e popullit dhe ia doli të kalojë.
Teksti i plotë i Rezolutës:
Duke besuar në vlerat më sublime të popullit të Kosovës;
Të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë;
Duke rikujtuar faktin se Kosova ishte viktima dhe Serbia agresori;
Duke pasur parasysh gjykimin ndaj viktimës dhe ndërprerjen e ndjekjes së krimeve të agresorit nga bashkësia ndërkombëtare;
Duke besuar në nevojën e domosdoshme për unitet politik e qytetar, në mbrojtje të vlerave më sublime të popullit të Kosovës, luftës së drejtë të UÇK-së;
Duke pasur për bazë faktin se UÇK përbën vlerën më të lartë të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet-ndërtim; Duke pasur parasysh se akuzat ndaj UÇK nuk janë vetëm kundër individëve, por janë përballje e Kosovës dhe e qytetarëve të saj me Serbinë;
Miratohet
REZOLUTË PËR UNITETIN POLITIK E QYTETAR NË MBROJTJE TË VLERAVE TË POPULLIT TË KOSOVËS
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson faktin se në Kosovë shteti serb ka kryer spastrim etnik, duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë mbi 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza; si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës e Kosovës kërkon që domosdoshmërisht të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë e çështjes së të pagjeturve, të cilët janë zhdukur si rezultat i veprimeve agresore të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës.
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20 vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, si dhe qasjen e vazhdueshme refuzuese të Republikës së Serbisë ndaj këtyre kërkesave. Kuvendi i Republikës së Kosovës ri-përsërit thirrjen për drejtësi të plotë dhe vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimit të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës. Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, dhe si privim ndërkombëtar i kërkesave dhe veprimeve për ndëshkimin e kriminelëve të shtetit serb që kryen krime çnjerëzore në Kosovë.
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton qasjen selektive ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë, duke mbrojtur agresorin dhe duke gjykuar viktimën, si dhe sjell në vëmendje rastet e inskenuara të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës, siç është rasti i njohur si “Panda”, dhe shumë raste tjera të ngjashme. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton sakrificat e mëdha të popullit të Kosovës, të brezave të tërë, për liri dhe pavarësi, dhe i konsideron të papranueshme tentimet e shtetit serb që me fabrikime të përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës.
5. Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e gatshme për ta vërtetuar drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është edhe sot e gatshme ta bëjë të njëjtën gjë me Dhomat e Specializuara. Pastërtia e luftës së UÇK-së është vërtetuar disa herë në proceset e zhvilluara nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, siç janë UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, EULEX-i dhe drejtësia vendore.
6. Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi sakrificën e popullit të Kosovës, të drejtën e saj legjitime për pavarësi dhe vetëvendosje, rezistencën paqësore, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të vërtetuar edhe sipas vendimit të GJND-së. Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë dhe ka ndërtuar shtetin, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare në kuptimin më afirmativ përkitazi me të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
7. Përkundër agresionit serb, qasjes jo bashkëpunuese të Republikës së Serbisë dhe dëmeve njerëzore e materiale të Republikës së Kosovës të shkaktuara nga shteti serb, Republika e Kosovës ka treguar vazhdimisht gatishmëri dhe bashkëpunim, me qëllim të vendosjes së paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë.
8. Kuvendi i Republikës së Kosovës respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj, dhe që këto Dhoma të jenë fer e të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve.
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
10. Kuvendi i Republikës së Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar, për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar, që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës, ri-konfirmon përkushtimin për bashkëpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë./gazetametro.net