Edon Zhegrova ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij.
Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës është i huazuar te Baseli nga Genk, por që gjiganti zviceran nuk do ta blejë atë.
Basel e kishte klauzolën për blerjen e lojtarit për 3,5 milionë euro, por pas krizës që e kaploi klubin për shkak të Covid-19, gjiganti zviceran nuk e aktivizoi atë klauzolë.
Zhegrova tani do të rikthehet tek klubi belg Genk, por nuk pritet të mbetet gjatë aty.
Shumë skuadra të njohura evropiane kanë shprehur interesim për yllin prishtinas, por e ardhmja e tij duket se do të jetë në kampionatin francez Ligue 1.
Mediat belge kanë raportuar se në garë për Zhegrovën janë futur katër skuadra të mëdha franceze.
Olympique Marseille duket ekipi më serioz, pasi e shohin Zhegrovën si zëvendësuesin adekuat të Florian Thauvin që është drejt largimit.
Nga ana tjetër edhe Olympique Lyon ka shprehur interesim, pasi ish-kampioni francez pritet të mbetet pa Bertrand Traoren dhe Zhegrova shihet si zëvendësuesi adekuat i afrikanit.
Në garë për talentin e madh nga Kosova janë edhe dy skuadrat tjera të njohura franceze si OSC Lille dhe Nantes.
Genk po pret ofertën më të lartë për ta lënë të lirë kosovarin, ndërsa në Belgjikë pretendojnë se Zhegrova vlen më shumë se pesë milionë euro.
Kujtojmë që javë më parë vet ylli i Kosovës në një prononcim për Telegrafin kishte pranuar se edhe dy ekipet angleze si Chelsea dhe Wolverhampton kishin shprehur interesim për të.
21-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 19 ndeshje me Baselin, ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë katër asistime. /Telegrafi/