Panairi i mishit të qenit është hapur në Yulin të Kinës. Aktivistët e të drejtave të kafshëve shpresojnë se kjo do të jetë hera e fundit që do të zhvillohet pas pandemisë së koronavirusit.
Në këtë panair që zgjat 10 ditë, mblidhen mijëra vizitorë që blejnë qentë e ekspozuar në kafazë.
“Shpresoj që Yulin të heqë dorë nga panaire të tilla jo vetëm për të mirën e kafshëve, por për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të tij. Të lejosh grumbullime masive që blejnë dhe konsumojnë mish qeni në tregje të mëdha për një panair, është një rrezik i madh për shëndetin publik”, tha Peter Li, specialist i një grupi që mbron të drejtat e kafshëve.
Koronavirusi, që mendohet se e ka origjinën nga lakuriqët e natës dhe kaloi te njerëzit në një market në Wuhan, ka detyruar Kinën që të rishikojë tregtinë e kafshëve të egra.
Në prill, Shenzheni u bë qyteti i parë kinez që ndaloi konsumin e mishit të qenit dhe pritet që këtë shembull ta ndjekin edhe qytete të tjera. /Gazeta Sinjali