Komentatori i njohur televiziv në vendin tonë, Kosta Grillo, është një simpatizant i deklaruar i futbollit ballkanas, edhe nëse bëhet fjalë për Serbinë. I njohur edhe si një mbështetës dhe tifoz i Crvena Zvezdës, Grillo është bërë personazh i intervistuar në mediat serbe në ditët e fundit.
Në vigjilje të vizitës së Zvezdës në vendin tonë, Grillo sqaron në një intervistë për “Panorama Sport” se për cilën skuadër do të bëjë tifo të martën, si e pret kualifikimin, çfarë sugjeron për bardheblutë si tifoz dhe njohës i mirë i ekipit serb.
Grillo, si e prisni përballjen mes Tiranës dhe Crvena Zvezdës?
Për hir të së vërtetës, unë e mendoj se Crvena Zvezda është skuadër me shumë përvojë, që luan çdo vit në Champions dhe që kalon rregullisht ture kualifikuese deri në grupe. Ama, Zvezda nuk është më ai “gogoli” i dikurshëm, ajo skuadra e madhe dhe e pakalueshme. Realisht, është një skuadër e mirë, por ama Tirana në Tbilisi mua më ka surprizuar. Luajti thjesht, luajti mirë atje dhe me një futboll racional.
Si i ndani shanset për kualifikim?
Për mua janë 50 me 50 shanset për të kaluar në turin tjetër. E them këtë, sepse luhet në Tiranë. Është një plus më tepër për ekipin tonë.
Pse mendoni se mund të fitojë Tirana?
Tirana është skuadër e cila kishte vite që nuk merrte pjesë në Kupat e Europës. Sipas meje, ka më tepër uri sesa Zvezda. Them se ata do të jenë më të frikësuar përballë Tiranës, sesa bardheblutë përballë Zvezdës. Tirana nuk ka se çfarë të humbasë, pasi në fund të fundit, rikthehet të luajë në Europa Ligë dhe kam dëgjuar edhe nga drejtuesit e saj që është objektiv faza e grupeve atje. Pasi, edhe nëse kalon Zvezdën, arritja deri në grupet e Champions-it, për mendimin tim, është një mision i pamundur.
Jeni njohës i mirë i futbollit serb, por specifikisht i Zvezdës si mbështetës i saj. Çfarë presim si pikën më të fortë të tyren?
Zvezda ka emrin. Ka përvojën e pjesëmarrjeve në Kupat e Europës. Është skuadër relativisht e madhe në Europë, pavarësisht se ne mund të kemi kundërshtitë tona për ekipin serb apo për Zvezdën që ka një tifozllëk i cili cilësohet si antishqiptar dhe racist. Unë dhe ne nuk kemi lidhje me politikën dhe duke qenë se komentojmë dhe flasim për sport, për futboll, dhe le të mbesim në këto konture. Pasi, nëse do të merremi se cilët janë tifozët e Zvezdës apo sponsorizuesit e saj, nuk do të shihnim futboll fare.
Si jeni bërë tifoz me Zvezdën?
Shumë nga brezi i të rinjve, që janë të pasviteve ’90, nuk e kanë jetuar periudhën e izolimit siç kam bërë unë apo bashkëmoshatarë të mi. Në periudhën e izolimit, në Shqipëri, kishim vetëm dy dritare. Kishim italianët dhe televizionin sllav. Duam apo nuk duam, për ne ai ishte një realitet prezent. Mendoj se ka një shumicë njerëzish që si ndjekës të kampionatit të ish-Jugosllavisë, i cili ishte një nga më të fortët në atë periudhë, janë përkrahës të këtyre ekipeve dhe të këtij futbolli. Nuk ishte vetëm Zvezda, ishte Dinamoja e Zagrebit, ishte Hajduku, ishte Partizani i Beogradit, ishin Radniçki, Buduçnosti, Vardari, Prishtina dhe shumë ekipe cilësore. Futboll jashtëzakonisht i fuqishëm, i mrekullueshëm dhe e kishim si mundësi për t’u lidhur me futbollin ish-jugosllav.
Cili ka qenë idhulli juaj i fëmijërisë?
Te Zvezda ka qenë një sulmues i njohur, Dushan Saviç. Shumë i mirë, sulmues që mund ta krahasoj me Agustin Kolën në Shqipëri. Luante shumë mirë në ajër, njësoj si Agustini. Por në Tiranë unë jam rritur me Petrit Dibrën. Ka qenë një nga idhujt e mi të fëmijërisë, siç e thërrisnim “Doktori” në atë kohë.
Kam lexuar një intervistë të dhënë nga ju në mediat serbe. U qëndroni atyre deklaratave?
Duhet që ta sqaroj, pasi më është shtrembëruar shumë fjala ime. Unë kam thënë që në krye të herës se në këtë ndeshje jam tifoz me Tiranën dhe dua të kualifikohet Tirana, si njeri i rritur me ish-17 Nëntorin. Kam qenë tifoz që e kam ndjekur nga mbrapa këtë ekip. E kam pranuar dhe nuk e fsheh që jam simpatizant i Zvezdës. Por, për këtë përballje kam qenë i qartë, jam pro Tiranës dhe pro kalimit të saj në turin tjetër. Kam thënë që dua kualifikimin e Tiranës sepse do të jetë një adrenalinë e madhe për këtë ekip dhe për futbollin shqiptar. E them këtë, sepse për Zvezdën është rutinë kalimi i tureve kualifikuese në Europë.
Keni shprehur edhe diçka për tifozët e Tiranës që janë anti-Rama…
T’jua sqaroj edhe se çfarë kam thënë lidhur me këtë. Kam thënë që, siç në Serbi është derbi mes Partizanit të Beogradit dhe Crvena Zvezdës, në vendin tonë është i njëjti derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Dhe kam thënë tekstualisht, që meqenëse te Partizani drejtor është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit në vendin tonë, atëherë tifozëria e Tiranës janë anti-Rama. Ama janë interesuar vetëm për këtë frazë dhe e kanë trajtuar në atë mënyrë për të bërë bujën e tyre.
A mund të konsideroheni proserb për simpatinë e shprehur ndaj tyre?
Përpara serbëve, unë jam tifoz i Liverpulit dhe i futbollit anglez. E kam shprehur për futbollin serb, pasi kam thënë që jam mbështetës i ekipeve ballkanike. E kam shprehur në studio, në pragun e Kampionatit Botëror. Jam shprehur që jam me ekipet si Kroacia dhe Serbia. Kam thënë edhe që Kosova do të jetë shumë herë më mirë sesa Shqipëria, gjë për të cilën, fjalët e mia u vërtetuan pas vitit 2018. Kam qenë edhe me Turqinë kur ka qenë në kampionatet botërore. Pra, jam fan i futbollit ballkanik. Gjithashtu, jam një nga tifozët e Beshiktashit.
Si mund ta fitojë Tirana këtë ndeshje?
Unë nuk jam trajner, por flas si tifoz apo si komentator. Tirana duhet ta fitojë me shumë qetësi dhe maturi. Mendoj se nëse për 20 minutat e para nuk do të pësojë gol, ashtu si ndaj Dinamos së Tbilisit, atëherë të gjitha emocionet apo e gjithë frika, paniku do të fillojë pak nga pak që të zërë lojtarët e Zvezdës. Kjo, sepse e thashë që Zvezda, si emër është i madh, por si lojtarë nuk është më Zvezda e viteve të kaluara, nuk është e frikshme. Mbaj mend edhe Dinamon e Tbilisit, skuadër e frikshme dhe me përgatitje fizike shumë të mirë, por e pamë që Tirana luajti qetë.
Ruajti mbrojtjen, nuk pësoi dhe shënoi gol në fundin e pjesës së parë. Paniku kaloi në anën tjetër, ku mbrojtja e Dinamos filloi të dridhej nga pak dhe Tirana mori zemër. Kjo mendoj se është arma kryesore e Egbosë. Sipas meje, të presë me shumë kujdes dhe pak nga pak Tirana të ngacmojë. Qetësia, durimi dhe befasia mund të jenë armët e Tiranës. Me ardhjen e Stankoviçit, loja ka ndryshuar. Sulmi mbështetet te lojtarët e huaj. Kanë edhe një portugez, lojtar të rrezikshëm. E theksoj që nuk është Zvezda e dikurshme. Dobësia e Zvezdës do të jetë që luajmë në fushën tonë, në Shqipëri.