Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në prag të ndeshjes kundër Bullgarisë. Dardanët, gjatë këtyre ditëve kanë punuar në aspektin taktik dhe motivues. Pavarësisht mungesave në skuadër, Kosova kundër Bullgarisë do të luajë për fitore. Përzgjedhësi Afrim Tovërlani në prag të kësaj ndeshjeje tha se e kanë analizuar kundërshtarin dhe kanë identifikuar pikat kryesore të Bullgarisë.
“Kundërshtarin e njohim sepse ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar ndaj tyre në Bullgari. E dimë cilat janë pikat kryesore në dy repartet, sulm dhe mbrojtje, futbollisti kryesor i tyre është Nikollov i cili luan si sulmues dhe njëherësh është futbollisti më i rrezikshëm, çka do të thotë se ne duhet të kemi më shumë kujdes ndaj tij. Gjithmonë hyjmë për fitore, unë asnjëherë nuk flas për rezultate prandaj më mirë do ta presim fundin e ndeshjes”, theksoi Tovërlani.
Nga ana tjetër motivi tek futbollistët e Kosovës është i lartë e po ashtu edhe atmosfera është tejet e mirë.
“Edhe pse kemi pasur pak ditë për stërvitje gjithçka ka shkuar mirë dhe të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin. Nuk kemi qenë kurrë më të motivuar se këto ditë dhe gjithçka po shkon mirë. Atmosfera është shumë e mirë, kanë ardhur disa futbollistë të rinj por shumë shpejt janë përshtatur me grupin. Në këtë ndeshje ne e njohim më mirë kundërshtarin por edhe ata na njohin më mirë për shkak të ndeshjes së kaluar që kishim, por shpresojmë se do ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe ne do ta japim maksimumin brenda në fushë”, theksoi Veton Tusha.
Valton Behrami i cili për herë të parë i është bashkuar ekipit kombëtar foli për atmosferën e mirë në ekipin e Kosovës, derisa tha se beson në fitore.
“Për mua kjo është hera e parë që jam pjesë e Kosovës U21 dhe jam shumë i kënaqur me kombëtaren dhe qysh kam pritë ka qenë edhe më mirë. Nesër shpresoj në fitore. Ne luajmë vetëm për fitore, kundërshtari është i fortë fizikisht por nesër do të hyjmë në fushë sikur të hyjmë në luftë dhe do të arrijmë fitoren. Dardanët i ftoj të na përkrahin në stadium. Ne jemi të rinjtë të cilët do të luajmë për Kombëtaren A. Ata na japin kurajë dhe fuqi për të fituar. Nesër ne luajmë edhe për Dardanët jo vetëm për vete”, shtoi Behrami.
Ndeshja Kosovë U21- Bullgari U21 zhvillohet të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në orën 13:00.