Në vitin 2024, futbolli kosovar ka arritur disa arritje të rëndësishme, përballë sfidave që kërkojnë përkushtim dhe strategji të vazhdueshme për përmirësim.
Agim Ademi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një intervistë për “Front Online”, ka ndarë pikëpamjet e tij mbi zhvillimin e Kombëtares së Kosovës, përmirësimin e infrastrukturës dhe masat që janë ndërmarrë për të avancuar futbollin në vend.
Gjatë intervistës Ademi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Organizata Ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA, si dhe ka prezantuar objektivat ambicioze për të ardhmen e futbollit kosovar, duke përfshirë ngritjen e cilësisë së kampionatit kombëtar dhe përforcimin e kombëtares për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar vitin 2024 si një vit të suksesshëm, duke theksuar se, ndonëse nuk u arrit plotësisht çdo objektiv, ka pasur progres të dukshëm në të gjitha aspektet.
Ai vuri në dukje suksesin e Kombëtares së Kosovës, e cila, nën drejtimin e trajnerit të ri Franco Foda, ka treguar zhvillim të rëndësishëm, sidomos me integrimin e lojtarëve të rinj si Elvis Rexhbeçaj, Amir Saipi dhe të tjerë.
“Viti 2024 ishte një vit i suksesshëm, ndoshta jo plotësisht siç e kemi dëshiruar, por pa dyshim ka qenë vit pozitiv si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ. Kombëtarja e Kosovës me përzgjedhësin e ri, Franco Foda e ka konfirmuar progresin e saj, derisa kemi punuar shumë në sjelljen e lojtarëve të rinj në Kombëtare. Vetëm gjatë këtij viti Kosovës i thanë ‘Po’ Elvis Rexhbeçaj, Amir Saipi, Fisnik Asllani, Eliot Bujupi, Andi Hoti, Muharrem Jashari, Baton Zabërgja, Art Smakaj, Leard Sadriu e Vesel Demaku. E pikërisht këta emra, na japin shpresë për të ardhmen”.
Ademi gjithashtu theksoi përpjekjet për të përgatitur Kombëtaren për kualifikueset e Botërorit 2026, ku Kosova do të përballet me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.
“Në mars do të kemi një tjetër mundësi për t’u promovuar në Ligën B të UEFA Nations League, përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it kundër Islandës dhe jemi optimistë se do t’ia arrijmë këtij qëllimi, derisa do të punojmë me përkushtim për t’u përgatitur sa më mirë edhe për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026, e ku tashmë i kemi njohur kundërshtarët, ku jemi në grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë” ka thënë ai.
Po ashtu, në fushën organizative, FFK ka realizuar progres të rëndësishëm, duke hartuar një strategji katërvjeçare në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, si dhe duke avancuar me digjitalizimin e proceseve përmes programit ‘My FFK’.
“Gjatë këtij viti si federatë kemi bërë punë të jashtëzakonshme. Për herë të parë kemi hartuar strategjinë katërvjeçare të FFK-së në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, nën moton “Themelet e së ardhmes”, shtoi ai.
Investime edhe në Leposaviq
Ademi njoftoi gjithashtu se, për herë të parë, FFK do të mikpresë mbledhjen e Komitetit HatTrick të UEFA-s, më 13 mars, një shenjë e besimit të madh që ka krijuar ky institucion sportiv në federatën kosovare.
“Vendimi i UEFA-s që për herë të parë FFK të jetë mikpritëse e mbledhjes së një prej organeve të saj më të rëndësishme. Do të jetë Komiteti HatTrick i UEFA-s, anëtar i të cilit jam edhe personalisht, që do të mbajë mbledhje në Prishtinë, më 13 mars. Kjo tregon raportet tona tejet të mira me UEFA-n si dhe besimin që ka krijuar kjo organizatë në federatën tonë”.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, theksoi se bashkëpunimi me institucionet vendore ka qenë në nivel të lartë dhe se, si pasojë e këtyre përpjekjeve, federata ka arritur të realizojë misionin e saj edhe në fushën e infrastrukturës.
Një nga projektet më të rëndësishme ishte renovimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili është pajisur për herë të parë në Kosovë me një fushë hibride dhe sistem ngrohjeje, që ofron kushte optimale për futbollistët.
Ky projekt sipas tij u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit.
“Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit iu nënshtrua një renovimi të plotë, duke u pajisur me fushë hibride, e para e këtij lloji në Kosovë dhe me sistem ngrohjeje, që ofron kushte optimale për futbollistët. Po ashtu, projekti ynë “Çdo 45 ditë nga një fushë futbolli” avancoi me ndërtimin e fushave të reja në disa komuna, duke përfshirë fushat në Prishtinë, në Hogosht, në Rahovec, në Shtime, në Mitovicë, në Dragash dhe në Istog, kurse në proces të ndërtimit janë edhe 5 fusha në vise tjera”.
Investimet kanë vazhduar edhe në projektet kapitale, si në Kampin Nacional në Hajvali, ku janë ndërtuar tribunat pas portave dhe është instaluar ndriçimi “fluid lights”.
Për herë të parë, janë bërë investime të rëndësishme edhe në Qendrën Sportive të Leposaviqit, tregon Ademi.
“Investimet në Kampin Nacional në Hajvali kanë vazhduar në ndërtimin e tribunave pas portave (veri dhe jug) si dhe me sigurimin e ndriçimit “fluid lights”. Me intensitet të madh është punuar edhe në Kampin Nacional në Obiliqit, ku janë ndërtuar zhveshtoret dhe është realizuar edhe fusha me bari sintetik, teksa këtë vit kemi filluar punimet edhe në Kampin e Batllavës, ku kemi gjetur edhe mbështetjen e KFOR-it për çka jemi mirënjohës. Për herë të parë janë kryer investime të rëndësishme edhe në qendrën e sportive në Leposaviq. E të gjitha këto projekte janë mbështetur nga programet FIFA Forward dhe UEFA HatTrick”.
Kosova qëndron mirë në aspektin e organizimit të ndeshjeve
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar se Kosova po qëndron shumë mirë në aspektin e organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare.
“Kemi krijuar një staf shumë profesional, i cili përmes planifikimit të kujdesshëm dhe mbështetjes nga institucionet partnere, ka arritur t’i organizojë të gjitha ndeshjet ndërkombëtare në nivelin më të lartë, për çka jemi përgëzuar edhe nga organizata evropiane e futbollit. FFK për herë të dytë ka qenë edhe nikoqire e programit të UEFA-s, CFM (Certificate in Football Management)”.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova ka arritur suksese të mëdha në ndarjen e drejtësisë, me shumë gjyqtarë dhe zyrtarë të FFK-së të deleguar nga UEFA në ndeshje të rëndësishme, përfshirë Champions League dhe kompeticione të tjera evropiane.
“Shumë gjyqtarë e gjyqtare janë deleguar nga UEFA në ndeshje të nivelit të lartë në kompeticionet evropiane, derisa suksese të mëdha kanë shënuar edhe zyrtarët administrativ të FFK-së, të cilët janë përzgjedhur nga UEFA për të menaxhuar ndeshje në Champions League e po ashtu edhe në kompeticione tjera”.
Ademi ka thënë se përgatitja për ndeshjet e Kombëtares ka qenë gjithmonë prioritet i FFK-së.
Ai ka nënvizuar se federata ka ofruar kushte optimale për akomodimin dhe udhëtimin e ekipit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ademi beson se kjo përgatitje ka kontribuar në ngritjen e suksesshme të Kombëtares këtë vit.
“Përgatitja për ndeshjet e Kombëtare së Kosovës ka qenë gjithmonë prioritet. Ne si federatë jemi përkujdesur maksimalisht për t’i ofruar kushtet më të mira, si ato të akomodimit në hotel brenda dhe jashtë vendit, ashtu edhe kushtet e udhëtimit”.
Ardhja e Franco Fodës në krye të Dardanëve e ka rikthyer entuziazmin në ekip
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për “Front Online” thotë se ardhja e Franco Fodës në krye të Kombëtares ka rikthyer entuziazmin dhe ka sjellë rezultate pozitive.
Ademi shprehu optimizëm për arritjen e objektivave të Kombëtares së Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia dhe angazhimi i stafit janë kyçe për suksesin e mëtejshëm.
“Ardhja e Franco Fodës në krye të Dardanëve e ka rikthyer entuziazmin në ekip, por edhe serinë e rezultateve pozitive. Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre ndaj ekipit dhe përgjegjësia që ata ndjejnë ndaj uniformës së Kombëtares së Kosovës na bëjnë të jemi optimistë për arritjen e objektivave tonë” shtoi ai
Lojtarët e Kosovës në ligat ndërkombëtare janë krenaria e vendit
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shprehur për “Front Online” se lojtarët e Kosovës në ligat ndërkombëtare janë krenaria e vendit, duke përmirësuar imazhin e Kosovës dhe motivuar gjeneratat e reja të bëhen pjesë e futbollit.
Ai ka vlerësuar vitin e shkëlqyer për shumicën e futbollistëve tanë që luajnë në klube evropiane, të cilët kanë arritur nivele të larta dhe kanë treguar formë të jashtëzakonshme.
“Lojtarët tanë në ligat ndërkombëtare janë krenaria jonë. Ata jo vetëm që e përmirësojnë imazhin e Kosovës, por edhe motivojnë gjeneratat e reja në Kosovë që të jenë pjesë e futbollit. Ky vërtet ka qenë një vit shumë i mirë për shumicën e futbollistëve tanë që luajnë në klube të ndryshme evropiane, pasi janë ngritur në nivele më të larta dhe kanë treguar formë të jashtëzakonshme. Plani ynë është të rrisim mbështetjen për të rinjtë dhe të krijojmë një sistem edhe më të mirë për zhvillimin profesional të futbollistëve”.
756 vajza u regjistruar në futboll gjatë 2024-tes
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka folur lidhur me numrin e regjistrimit te futbollistëve të rinj gjatë vitit 2024.
Ai për “Front Online” bëri të ditur se gjatë vitit 2024 nga 15,100 lojtarë sa janë regjistruar, 756 prej tyre janë vajza.
“Edhe këtë vit ka vazhduar trendi i rritjes së masovizimit në futboll. Statistikat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 15,100 lojtarë, prej tyre 756 janë vajza”.
Përkrahjen e jashtëzakonshme të tifozëve për Kombëtaren e Kosovës, e ka vlerësuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke theksuar se stadiumi është vazhdimisht i stërmbushur dhe kërkesat kalojnë kapacitetet e tij.
Sipas Ademit, shikueshmëria e ndeshjeve të kampionatit të Kosovës është e kënaqshme krahasuar me shtetet e rajonit, por ka mundësi për përmirësim.
“Tifozët pa dyshim janë zemra dhe hijeshia e futbollit. Sa i përket ndeshjeve të Kombëtares qëndrojmë shumë mirë, ngase në vazhdimësi stadiumi është i stërmbushur dhe kemi kërkesa përtej kapacitetit të stadiumit. Tifo-grupi i kombëtares “Dardanët” edhe sivjet ishin kudo afër Kombëtares, me përkrahje e koreografi mbresëlënëse. Sa i përket shikueshmërisë së ndeshjeve të kampionatit të Kosovës nuk qëndrojmë keq në raport me shtetet e rajonit, pasi në disa ndeshje ka shikueshmëri të lartë”.
Ademi vlerëson bashkëpunimin me disa federata dhe organizata ndërkombëtare që sipas tij, kanë qenë faktor kyç në zhvillimin e këtij sporti.
“Bashkëpunimi me federatat e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, UEFA e FIFA ka qenë faktor kyç në zhvillimin tonë të hovshëm. Mbështetja e FIFA-s dhe UEFA-s ka ndihmuar në rritjen e standardeve dhe në krijimin e kushteve më të mira për komunitetin e futbollit. Kemi krijuar raporte edhe me shumë federata, teksa me Federatën Turke të Futbollit presim që gjatë vitit që po hyjmë të fillojmë zbatimin e bashkëpunimit shumëdimensional” ka përfunduar ai./FrontOnline