Basketbollistët e Kosovës e kanë nisur me fitore ciklin e ri kualifikues për Kupën e Botës 2027.
Kosova të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë realizoi fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të raundit të parë parakualifikues për Kupën e Botës 2027.
E mposhti Përfaqësuesen e Irlandës me rezultatin 83:76.
“Dardanët” e nisën mirë ballafaqimin duke shënuar epërsi prej nëntë pikëve në gjashtë minutat e parë të ndeshjes, 12:3, ndërsa e ruajtën epërsinë deri në fund të 10-të minutëshit të parë, të cilën e mbyllën me rezultatin 22:17.
Loja e mirë e basketbollistëve të drejtuar nga Rami Hadar vazhdoi deri në mesin e çerekut të dytë.
Më pas, irlandezët me treshen e Taiëo Badmus, kaluan në epërsi 28:27, për herë të parë në këtë ballafaqim.
Kosova u kthye më pas fuqishëm dhe e ktheu epërsinë, ndërsa në pushim mes pjesëve shkoi me epërsinë e shtatë pikëve, 45:38.
Me rezultatin 20:19, Kosova në të mirë të vet e mbylli edhe periudhën e tretë.
10-të minutëshi i fundit ishte dramatik.
Irlanda i barazoi shifrat në 65:65 me treshen e Sean Flood, shtatë minuta para fundit të ndeshjes, ndërsa me tjetër dypikësh të kapitenit Flood, irlandezët krijuan epërsi 69:67.
Por deri në fundin e ballafaqimit, Kosova e ndihmuar edhe nga atmosfera e mirë e krijuar në palestër, ktheu epërsinë në të mirë të vet për të triumfuar në fund me shifrat 83:76.
Tre basketbollistë të Kosovës realizuan pikë dyshifrore te Kosova.
Drilon Hajrizi ishte më i dalluari me 20 pikë, nëntë kërcime e tri asistime.
19 pikë i realizoi Dardan Berisha, ndërsa i pati edhe dy kërcime e një asistim.
Ndërkohë, Mikaile Tmushiq kontribuoi në fitore me 11 pikë, dy kërcime e gjashtë asistime.
Jordan Blount te Irlanda i pati 27 pikë, 13 kërcime e dy asistime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.
Ndeshjen e radhës Kosova e luan në Baku ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt.
Vetëm fituesit e tri grupeve avancojnë në raundin e dytë parakualifikues të Botërorit 2027.
Tutje kalon edhe vendi i dytë më i mirë.
Pas ndeshjes me Azerbajxhanin, Kosova luan më 21 nëntor në udhëtim te Zvicra, dhe më 24 nëntor si mysafire e Irlandës.
Këtë cikël kualifikues e mbyll në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Më 20 shkurt 2025 e pret Azerbajxhanin, ndërsa tri ditë më vonë, luan ndaj Zvicrës.