Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitoren e parë në Ligën e Kombeve.
Dardanet, të premten, në Shkup kanë shënuar fitore në përballje me Maqedoninë e Veriut, me rezultat 2:0. Kjo ndeshje i takoi xhiros së dytë të Grupit 5 në Ligën C.
Të përzgjedhurat e Anneli Andersen e dominuan ndeshjen që nga fillimi dhe krijuan raste të njëpasnjëshme, teksa rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të. Ishte Valentina Limani, e cila me gjuajtje të fortë e të saktë nga rreth 20 metra arriti ta çojë topin në rrjetën e portës së Magdalena Lekovkës për 1:0. Dardanet vazhduan me lojë të mirë edhe në vazhdim të pjesës së parë, e si rrjedhojë arritën të gjejnë edhe golin e dytë. Në minutën e 41-të Kaltrina Biqkaj harkoi nga krahu i djathtë, derisa reagimin e dobët të portieres Lekovska e shfrytëzoi Valentina Metaj, e cila nga afërsia shënoi për 2:0. Edhe në pjesën e dytë futbollistet dardane bënë paraqitje të mirë dhe e administruan epërsinë e pjesës së parë, duke mos i lejuar futbollistet vendase të rrezikojnë portën e Alma Demirit. Pas kësaj fitoreje Kosova ka 4 pikë dhe kryeson renditjen, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e dytë. Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë të martën (më 31 tetor) sërish kundër Maqedonisë së Veriut, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 17:00.
Maqedonia e Veriut – Kosova 0:2
Stadiumi “FFM Training Center” – Shkup
Gjyqtare: Michaela Pachtova, Zuzana Špindlerová, Katka Hruskova (Çeki)
Shënuese: Valentina Limani (20′), Valentina Metaj (41′)
Kartonë të verdhë: Petkova, Maksuti (MV)
Maqedonia e Veriut: Lekovska, Petkova (Mileska), Milchevska, Kolarovska, Evtinxhioska, Velkova, Mustafa (Salihi), Shemsovikj (Petrushevska), Markovska, Rochi, Maksuti.
Kosova: Demiri, Ramaj, Kastrati, Smaili, Kryeziu (Ramadani), Lulaj (Shala), Metaj (Rexhi), Misini, Limani (Guri), Halilaj (Memeti), Biqkaj.