Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” për të zhvilluar ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë, tri ditë pas zhgënjimit të madh në Shkup, kur u shua ëndrra e quajtur “Euro2020”. Si çdo herë edhe kjo ndeshje do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, prej orës 20:45, derisa para dhe pas ndeshjes do të ketë edhe emision special me mysafirë të ftuar për të parashikuar dhe analizuar këtë ndeshje të Dardanëve.
Kombëtarja e Kosovës në edicionin e ri të Ligës së Kombeve ka fituar vetëm një pikë në dy takimet e para, duke barazuar me Moldavinë si mysafire dhe duke pësuar humbje nga Greqia në shtëpi. Prandaj, sonte Dardanët do të mundohen të paraqiten sa më denjësisht dhe t’i japin fund serisë prej gjashtë ndeshjeve pa fitore.
Përzgjedhësi Bernard Challandes pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin që luajti ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai në konferencën e mbajtur dje theksoi se sfidë për të në këto ditë ka qenë rikthimi i moralit tek skuadra pas zhgënjimit të madh, por edhe përmirësimi i lojës në fazën sulmuese, ku në ndeshjet e fundit ka pasur shumë pak kreativitet dhe raste për gola.
“Nëse flasim për tri ndeshjet e fundit problemet janë evidente, nuk krijojmë raste sa duhet. Kemi luajtur mirë vetëm deri në 30 metrat e fundit të kundërshtarit, prandaj na mbetet që në duelin e radhës ta zgjidhim këtë problem”, u shpreh Challandes.
“Sfida tjetër pas dështimit në Shkup është se lojtarët janë të shkatërruar emocionalisht, por edhe fizikisht janë të dërrmuar pasi vijnë pas një ndeshje të vështirë”.
“Flas për sfidat sepse për mua është e qartë se detyrë e imja është që t’i kthejë lojtarët në nivel të lartë për këtë ndeshje”.
“Mendoj se është mundësi e mirë gjithashtu për të treguar mentalitetin dhe karakterin tonë”, ka deklaruar Bernard Challandes, i cili e ka vlerësuar Slloveninë si skuadër shumë të fortë në aspektin fizik.