Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi vizituan sot kampin stërvitor të Kosovës U22, femrat, në Skenderaj.
Gjinovci dhe Nikqi shikuan mbarëvajtjen e stërvitjeve dhe i uruan fat vashave bashkë me stafin teknik, ndërsa shfrytëzuan këtë rast që bashkarisht të vizitojnë Prekazin legjendar për të bërë homazhe te heronjtë e rënë dëshmorë nga familja Jashari.
Kombëtarja duket e motivuar dhe e bashkuar para sfidës së vështirë të kualifikueseve të Kampionatit Evropian, me “Dardanet” që do të udhëtojnë drejt Çekisë më datën 20 korrik, për kualifikueset e Kampionatit Evropian të grupmoshës U22.
Kosova është në të njëjtin grup me Kombëtare tejet kualitative si Turqia, Çekia dhe Austria.
Presidenti Gjinovci dhe sekretari Nikqi u ndanë të lumtur me atmosferën brenda kontigjentit, ndërsa i uruan fat dhe plasman sa më të dinjitetshëm në këto kualifikuese.