Është bërë e zakonshme në Kosovë që kandidatët për kryetarë të komunave të investojnë gjatë fushatave, për t’i bërë ato sa më impozante.
Kryetari i Fushë Kosovës Burim Berisha duket se është ndryshe në këtë pikë. Gjatë fushatës ai shihet vazhdimisht me atlete dhe tuta duke luajtur futboll me banorët. Një qasje të tillë Kryetari Berisha e kishte pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, si dhe zgjedhjet e mëhershme.
“Kur punon përditë për katër vite nuk ka nevojë për fushata të mëdha apo shpenzime enorme”, ka thënë ai për Indeksonline. “Kohën e fushatës e përdori vetëm për të diskutuar me banorët për projektet e interesit publik që do t’i zbatojmë.”
Për mandatin e ardhshëm Berisha, ekonomist me profesion, ka premtuar disa projekte të mëdha.
“Investimet kapitale do të vazhdojnë në fusha të ndryshme. Do ta bëjmë Fushë Kosovën qendër të atraksionit turistik dhe sportiv. Brenda qytetit në lagjen Nakarada kemi filluar punën për një park me rreth 100 hektarë. Ligatina e Hencit do të transformohet me rregullim dhe ndërhyrje në infrastrukturën përcjellëse. Në Golesh do të ndërtojmë një qendër moderne për sporte ekstreme. Parkun e Pishave, tashmë i frekuentuar nga qytetarë nga e gjithë Kosova, do t’a ndërlidhim me Harilaq.”
Në publik Berisha njihet si personalitet modest dhe i afërt me qytetarët. Shumicën e kohës ai shihet pa përcjellje zyrtare dhe pa kravatë.
Në detyrë nga viti 2007, ai mban rekordin si kryetari i vetëm në Kosovë i zgjedhur direkt nga qytetarët katër herë radhazi. Në rast të fitores me 17 tetor ai do të thyejë rekordin e vet, duke u bërë kryetari i parë i zgjedhur pesë herë me votë të drejtpërdrejtë.
Për më shumë rreth fushatës së tij, shihni disa fotografi të marra nga profili i tij në Facebook.