Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka arritur mbrëmë në Kosovë.
Me një siguri të shtuar trupi i pajetë i tij është dorëzuar mbrëmë në pikën kufitare në Merdar.
Pas disa procedurave të kryera aty, trupi i tij është sjellur në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku edhe pritet të qëndrojë për ditë të tëra, deri në ekzaminimet e fundit të nevojshme në këtë rast.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni deklaroi se mbrëmë kanë qendër në vendin e ngjarjes ku edhe ka arritur trupi i pajetë.
Ai gjithashtu theksoi se janë duke pritur që të kryhen të gjitha procedurat ligjore që kanë të bëjnë me ekzaminimet e më pas të ndërmerren veprimet e nevojshëm të cilat përcaktohen në bazë të ligjeve në Kosovë.
“Njëri prej prokurorëve që po merret me rastin ka dalë mbrëmë në vendin e ngjarjes ku ka arritur trupi i pajetë. Është urdhëruar që trupi fillimit të identifikohet dhe të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshëm e pastaj të bëhet autopsia”, deklaroi Preteni për lajmi.net.
Ndërsa sot tek objekti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë janë duke qëndruar familjarë të Faton Hajrizit.
Ata janë parë madje duke biseduar nga afër me personin përgjegjës në IML, Arsim Gërxhaliu.
Po ashtu aty ka qenë edhe avokati i rastit, Arianit Koci.
Koci mbrëmë deklaroi se falë mbështetjes që pati nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi si deh nga ambasadori Jashari u arrit edhe që të kryhet procedura e sjelljes së trupit të Hajrizit në Kosovë.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik 2024, ku po vuante dënimin me burg. Kjo ishte hera e nëntë e arratisjes së tij. Më pas ai u raportua se vrau një zyrtar policor serb dhe plagosi një tjetër. Pas 30 e disa orëve kërkimi nga autoriteteve serbe më pas ai u tha se është vrarë për shkak të rezistencës për t’u dorëzuar.
Pas disa javëve qëndrimit të trupit të tij në Serbi, mbrëmë u mundësua kthimi në Kosovë.