Nasuf Bejta pritet të jetë kundërkandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Bejta garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me numër 64 dhe ishte përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.
Nasuf Bejta u lind më 03 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.
Kurse sot Bejta deklaroi se do të jetë kundërkandidat i Vjosa Osmani për President të Kosovës, teksa tha se është serioz në këtë çështje.
“Po, është e vërtetë që do të jem kundërkandidat. Mendoj që do të jem një kandidat shumë serioz. Së paku kështu mendoj unë”.
Ndryshe Bejta, shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32 vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.
Është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që ai i cilësonte si të dëmshme për Kosovën. Ka qenë bashkëpunëtor civilo-ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Si kandidat për deputet, ishte zotuar që do të mbështeste politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe telekomit, si dhe asaj të mirëqenies sociale.
Ndryshe pritet që sot të thirret seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Deri më tani kandidimin për postin e presidentit e ka zyrtarizuar Vjosa Osmani, Nehat Idrizi si dhe së fundi edhe Nasuf Bejta.
Duhet përkujtuar që nga partia fituese e zgjedhjeve po vazhdon lobimi për sigurimin e votave për Osmanin, teksa nga Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë kanë deklaruar se do të qëndrojnë në sallë, por që e drejta e votës vendoset nga secili deputet individualisht.
Kategorikisht kundër qëndrimit në sallë dhe votimit të Vjosa Osmanit për presidente janë deklaruar PDK dhe AAK./Lajmi.net/