Të enjten është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, nën udhëheqjen e kryesuesit Xhavit Zariqi. Në mbledhje morën pjesë anëtarët e Kuvendit si dhe drejtorë të drejtorive komunale.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte prezantimi i raportit financiar për periudhën janar–qershor 2025.
Gjithashtu, u miratua propozim-vendimi për shkëputjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të datës 16 dhjetor 2008 ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje (AZHR-Lindje), propozim i paraqitur nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti.
Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, prezantoi disa propozim-vendime, përfshirë ndryshimin e një vendimi të vitit 2019 (i ndryshuar më parë në mars 2025), si dhe pezullimin dhe anulimin e disa vendimeve të miratuara më 30 maj 2025.
Po ashtu, u miratua memorandumi i bashkëpunimit me OJQ-në “Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve – Shtëpia Ime”.
Një nga pikat që ngjalli diskutime ishte propozim-vendimi për subvencionimin e transportit urban dhe urbano-periferik në qytet, i cili u shty për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme.