Naser A., një burrë nga Lipjani, është punëtori që vdiq pas lëndimeve të marra në vendin e tij të punës të mërkurën derisa po punonte në një objekt në Lipjan.
Burri që vdiq në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) të mërkurën është kryfamiljar dhe prind.
Djali i tij, Meritoni, me trishtim të thellë njoftoi të mërkurën mbrëma për vdekjen e babait dhe njoftoi se varrimi i tij do të bëhet sot.
“Me pikëllim ju njoftojmë se ka vdekur (Babai) Naser Izet Avdullahu. Varrimi i te ndjerit behet pas namazit te ikindisë. All-llahu e mëshiroftë”, shkroi ai.
Ngjarja, sipas raportit policor, ka ndodhur rreth pasdites së djeshme.
“Një mashkull kosovar ka ndrruar jetë në QKUK derisa po trajtohej si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi ishte rrëzuar nga një objekt ku po punonte. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe inspektori i punës”, tha Policia.
Dy persona, pronari i firmës ndërtimore në të cilën ai punonte dhe pronari i pronës në vend-punishten në Lipjan, janë arrestuar, tha Policia të enjten.
Prokuroria ka iniciuar rast kundër dy të dyshuarve për veprat penale të asgjësimit të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
“Dy të dyshuar meshkuj kosovarë (pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës) janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, tha Policia në raportin 24-orësh.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.