Skuadra kosovare, Drita tregoi sërish forcë dhe futboll të bukur në Evropë, por rrugëtimi i “Intelektualëve” përfundoi përballë Royal Antwerp. Sfida e parë e luajtur në Belgjikë, përfundoi në barazim të bardhë, ndërkohë që dueli në “Fadil Vokrri” u fitua 0-2 nga skuadra mike.
Përballja u zhbllokua nga një gol me kokë i Laurit Krasniqit në minutën e 52’. 21-vjeçari dardan ka lindur në Belgjikë dhe është rritur te klubi i Antwerp. Golin e parë e gjeti në Prishtinë në një mbrëmje të paharrueshme për të, duke zhbllokuar një përballje të komplikuar për ekipin e Van Bommel.
“Ende nuk mund ta besoj. Nuk e di si ndihem, e vetmja gjë që di është se nuk do të fle shumë… Një pjesë e madhe e familjes time ishte në stadium. Prindërit, xhaxhallarët, dajat, hallat, kushërinjtë. Është si një ëndërr për mua.
Në fillim isha pak i stresuar, edhe falë atmosferës që krijuan tifozët në stadium, por në fund gjithçka përfundoi ashtu siç duhej. E shijova në maksimum.
Për golin, Krasniqi shtoi: “E dija që Benson kroson bukur në shtyllën e dytë. Trajneri më lejon të dal përpara në sulm, kështu që nuk u mendova dy herë në rastin e golit, nuk hezitova aspak”.