Kosova mund të jetë një shtet i vogël, por ajo po jep talentë të shumtë gjithandej Evropës – veçanërisht në futboll. Njëri prej tyre është Ledion Hoxhaj, një djalosh që ende nuk i ka mbushur 15 vjeç, por që tashmë po tërheq vëmendjen me pasionin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Ledion Hoxhaj, i lindur më 17 korrik 2010, është një nga talentët më premtuese shqiptare në futbollin gjerman. Në moshën vetëm 14-vjeçare, mesfushori defansivë po shkëlqen me klubin Wuppertaler SV, ku luan në ligën elitare Niederrhein Liga – U17 Bundesliga.
Rrugëtimi i tij në futboll filloi në moshën 5-vjeçare te SC Leverkusen, për të kaluar një vit më vonë te Viktoria Köln, ku qëndroi për pesë vite. Aty jo vetëm që u rrit si lojtar, por edhe mbajti për një kohë të gjatë shiritin e kapitenit.
Aktualisht, ai është pjesë e SV Wuppertal, ku po dëshmohet si një lojtar me teknikë të lartë, disiplinë dhe lidership në fushë. Me prejardhje nga Kosova, Ledioni është shembulli ideal i një futbollisti të ri që nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për përkushtim dhe punë.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Ledioni Hoxhaj ka të gjitha mundësitë të bëhet një lojtar i rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës U17. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) duhet të vazhdojë të ndjekë dhe të mbështesë këto talente që po rriten në diasporë, sepse ata janë të gatshëm të veshin fanellën e vendit të tyre dhe të kontribuojnë që Kosova të jetë një emër i denjë në futbollin evropian dhe botëror./s.z/