Radio Televizioni i Kosovës ditë më parë ka bërë të ditur se nga sezoni i ardhshëm do të bëjë transmetimin e tri ligave më të forta evropiane në futboll.
Pas pothuajse 10 viteve mos transmetim, televizioni publik i Kosovës ka fituar të drejtën për transmetimin e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës, si tri nga ligat më të forta evropiane.
Komentatori i përhershëm në Radio Televizionin e Kosovës, Arben Berisha ka sqaruar në detaje mënyrën e transmetimin të ndeshjeve të futbollit në televizionin publik.
“E vërteta është se RTK ka fituar të drejtën për pakon më të përshtatshme si transmetues publik, pakon A. Kjo nënkupton që në Kosovë, RTK të mërkurave dhe të enjteve e para përzgjedh lojën kryesore për ta transmetuar. Këtë do ta bëjë çdo xhiro deri në fund të sezonit. RTK dhe vetëm RTK i transmeton edhe FINALET e të trija këtyre garave. Për Kosovë askush tjetër nuk ka të drejtë t’i transmetojë finalet, asnjërën prej tyre”, thuhet fillimisht në njoftimin e komentatorit Berisha.
Përpos kësaj, vetëm RTK-ja do ta ketë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të klubeve kosovare në rast se ato arrijnë fazën e grupeve në garat evropiane.
“Po ashtu RTK dhe vetëm RTK do t’i transmetojë klubet kosovare (nëse ato hyjnë në fazën e grupeve, apo siç do të quhet nga viti i ardhshëm “faza e ligës”).
Vetëm RTK do t’i transmetojë edhe ndeshjet e Superkupës evropiane (ose turneut hapës që pritet të jetë zëvendësim për formatim aktual të Superkupës evropiane).
E presim me padurim gushtin e vitit të ardhshëm për një tjetër periudhë të jashtëzakonshme që na pret. Na keni munguar!”, shkroi Berisha.
Radio Televizioni i Kosovës ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve evropiane nga sezoni 2024 deri në vitin 2027.