Liverpooli synon transferimin e Koopmeiners, Atalanta ia ka caktuar çmimin
Liverpool raportohet se ka filluar të synojë objektivin e Juventusit, Teun Koopmeiners, teksa po kërkon të ribashkojë lojtarin me trajnerin e tyre të ardhshëm, Arne Slot.
Siç dihet, Jurgen Klopp do të largohet në fund të këtij sezoni, pas një periudhe nëntëvjeçare në Merseyside dhe gjiganti anglez ka vendosur të emërojë Slotin si zëvendësues të tij.
Koopmeiners ka vazhduar të shkëlqejë me Atalantan e Gian Piero Gasperinit këtë sezon, duke shënuar 14 gola dhe duke dhënë gjashtë asistime në 44 paraqitje.
Kësisoj, mesfushori ka tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme duke përfshirë Juventusin, Manchester Unitedin dhe tani Liverpoolin.
Sipas “Calciomercato”, “Të Kuqtë” po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një lëvizjeje për holandezin në verë, pasi ata po kërkojnë përforcime për trajnerin e ardhshëm.
Slot e njeh mirë 26-vjeçarin, pasi ata kaluan një sezon së bashku në AZ Alkmaar në sezonin 2019/20, ku Koopmeiners shënoi 16 gola në 42 ndeshje.
Atalanta thuhet se e vlerëson lojtarin me rreth 60 milionë euro, një çmim që është më i arritshëm për Liverpoolin sesa për Juventusin, që gjithashtu ka shfqur shumë interesim.