Trajneri Juergen Klopp ka kërkuar që Liverpooli të vazhdojë me përmirësimin e formës në një përpjekje për ringjallje që shpëton sezonin. Ekipi anglez tani synon hakmarrje në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit.
Skuadra e Kloppit po tregon shenja të daljes nga kriza, pasi një seri e rezultateve të dobëta kërcënonte të shkatërronte gjithë sezonin. Liverpooli ka shënuar dy fitore rresht në kampionat ndaj Evertonit e Newcastlet, për t’i rritur shpresat se mund të përfundojë në katër vendet e para në Premier League.
Pas këtyre rezultateve pozitive Liverpooli tani ka rastin t’i hakmerret Real Madridit në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e parë e 1/8 së finales mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të martën prej orës 21:00 në stadiumin “Anfield Road”. Real Madridi kishte mposhtur Liverpoolin në finalen e vitit të kaluar.
Klopp e sheh ndeshjen si një bazë të mundshme për të nisur “sulmin” e Liverpooli për të fituar Championsin për herë të dytë nën drejtimin e tij.
Liverpooli, gjashtë herë fitues i kësaj gare, tashmë do të kishte më shumë trofe në epokën e Kloppit, nëse nuk do të ishte Reali i bezdisshëm. Gjiganti spanjoll mundi Liverpoolin në finalen e vitit 2018, e eliminoi në çerekfinalen e vitit 2021 dhe fitoi finalen e sezonit të kaluar, 1:0 në Paris, falë golit të Vinicius Junior. Liverpooli nuk e ka mposhtur Realin që nga ndeshja në 1/8 e finales në vitin 2009.
“Është Liga e Kampionëve, është njëra prej ndeshjeve më të mëdha në botë. Do të jetë një top ndeshje futbolli dhe jam i lumtur që do ta luajmë në këtë moment. Po të luhej para katër javësh, do të ishte ndryshme sepse nuk ishim në formë. Por, tani jemi rikthyer dhe jemi gati për këtë ndeshje”, është shprehur Klopp të hënën në konferencën për shtyp. “Dy fitoret e fundit na kanë dhënë shpresa për një ringjallje, të cilën duam ta konfirmojmë edhe kundër Real Madridit. Na presin dy superndeshje dhe pres që ekipi ta vazhdojë përmirësimin që e ka treguar deri më tani”.
Humbja e vitit të kaluar ishte veçanërisht e dhimbshme, në fund të rrugëtimit të dështuar të Liverpoolit për ta mbyllur sezonin me katër trofe. Në fund Liverpooli pati sukses vetëm në Kupën FA dhe Kupën e Ligës, gjë që i la lojtarët e Kloppit në vështirësi mendore dhe fizike këtë sezon. Plagë edhe më të mëdha u shkaktuan te tifozët e Liverpoolit, të traumatizuar pasi policia përdori forcë të panevojshme në skenat e shëmtuara jashtë “Stade de France” para fillimit të finales së Ligës së Kampionëve. Pasojat nga ato incidente janë ende duke u ndier dhe do të ishte një moment i rëndësishëm për Liverpoolin nëse mund t’i japë fund mbretërimit të Realit në Champions në këtë fazë. Finalja e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni është në Stamboll, qytet ku Liverpooli pati triumfuar në vitin 2005.
“Finalen e Parisit nuk e kam shikuar deri vikendin e shkuar. Tani e di pse nuk e kam shikuar, pasi ishte një torturë e vërtetë, sepse ne luajtëm mirë dhe kemi mundur të fitonim. Ata fituan me një gol të shënuar, ndërsa ne nuk arritëm të realizonim dhe pësuam”, është shprehur Klopp. “Nuk mendoj se na duhet të kujtojmë duelin e Parisit për ta bërë këtë përballje të veçantë. Në aspektin sportiv ne humbëm dhe tani duhet t’i kthejmë gjërat në vendin e duhur. Ato incidente nuk ishin përgjegjësi e Realit apo klubit tonë. Kështu që ta bëjmë këtë ndeshje një festë madhështore në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Dyshimi i vetëm te Liverpooli për këtë ndeshje është te sulmuesi Darwin Nunez, i cili nuk dihet nëse do të jetë gati për shkak të një shqetësimi.
Real Madridi do të ketë mungesa të rëndësishme në mesfushë. Toni Kroos dhe Aurelien Tchouameni nuk kanë udhëtuar fare me ekipin për shkak të problemeve shëndetësore. Kështu që trajneri Carlo Ancelotti duhet të bëjë ndryshime në formacion për të mbuluar mungesën e tyre. Sipas të gjitha gjasave, Edoardo Camavinga dhe Dani Ceballos do të startojnë.
Reali në këtë ndeshje futet pas fitores që e arriti në La Liga. E mposhti në udhëtim Osasunan me rezultatin 2:0.
“Është një ndeshje e rëndësishme dhe shumë e fortë, pasi përballë kemi një rival të madh, në një stadium historik dhe me tifozë të jashtëzakonshëm. Ne duhet të bëjmë një paraqitje madhështore dhe të marrim rezultat të mirë për ndeshjen e kthimit që e luajmë në shtëpi. Duhet të jemi në nivelin më të lartë, të luajmë si ekip dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë mesfushori i Real Madridit, Luka Modriq.
Dueli tjetër i mbrëmjes do të jetë ai ndërmjet Eintracht Frankfurtit dhe Napolit, që luhet në Gjermani. Frankfurti sezonin e shkuar triumfoi në Ligën e Evropës, ndërsa Napoli këtë edicion ka treguar formë të lartë, si në Champions ashtu edhe Serie A. Në kampionatin e Italisë, Napoli po marshon drejt titullit dhe vlerësohet favorit përballë Frankfurtit. Në këtë ndeshje te Napoli titullar pritet të jetë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani./Koha.net/
1/8 e finales
E martë (21:00)
Liverpool – Real Madrid
E. Frankfurt – Napoli