Deputeti nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, i cili ka thënë se posti i presidentit duhet të kalojë nga zyret e LDK-së.
Në një prononcim, Lushtaku këtë veprim të Hazirit e quajti jo etik dhe se nuk është koha për pozitë të presidentit.
Gjithashtu, ai u shpreh se për çdo pozitë vendos Kuvendi dhe deputetët me votën e tyre.
“Nuk është etike me fol për pozicione dhe pozita të presidentit në këto rrethana, pozita e presidentit ka mandat dhe nuk është në diskutim, besoj që pozita e presidentit dhe çdo pozitë votohet në Kuvendin e Kosovës dhe kalon në të gjitha procedurat, Kuvendi dhe deputetët janë ata që do të vendosin me votën e tyre “.
Ditë më parë, Haziri shkroi se zgjedhja e presidentit do të kalojë nëpër zyrat e partisë së udhëhequra nga Isa Mustafa, siç ka ndodhur edhe me pozitën e Kryeministrit dhe të kryetares së Kuvendit.
“Zgjedhja e Presidentit kalon nëpër zyrat e LDK’së. Ashtu siç kaloi edhe zgjedhja e Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit…Kur bëhet kështu, dihet kush bëhet President. Ai që përfaqëson unitetin e popullit. Vazhdojmë…”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.