Malisheva ka fituar në shtëpi ndaj Ferizajt me rezultat 3-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Bekim Isufit ka shijuar fitoren e parë në edicionin pranveror, pasi ka mposhtur Ferizajn pas humbjes nga Drita javën e kaluar.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me futboll të hapur dhe raste nga të dyja skuadrat, ku shënuan edhe nga një gol.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm katër minutave me anë të Dreni Kryeziut, i cili shënoi për 1-0, por Qlirim Avdulli (25’) barazoi shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë, vendasit filluan më mirë, rrezikuan më shumë, shënuan dy gola të shpejtë dhe në fund pranuan një.
Fillimisht ishte Laurant Xhylani (50’), i cili shënoi për 2-1, pastaj Drilon Hazrollaj (67’) thelloi epërsinë në 3-1, teksa Erion Sadriu (78’) u përkujdes për rezultatin përfundimtar 3-2.
Pas kësaj fitore, Malisheva forcon pozitën e tretë me 33 pikë, teksa Ferizaj mbetet i teti me 23 pikë.