Sonte pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres në Prishtinë një mik të vjetër dhe të çmuar të futbollit tonë, z. Jérôme Champagne, i cili po qëndron në Kosovë me ftesën time. Vizita e tij përbën një ngjarje të veçantë për të gjithë ne që e kemi ndjekur nga afër rrugëtimin historik të Kosovës drejt pranimit në UEFA dhe FIFA, ka shkruar Presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Më pas ai ka shtuar: Z. Champagne, ish-zyrtar i lartë i FIFA-s, ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të kauzës sonë për afirmim ndërkombëtar. Ai është njeriu që hartoi dosjen e parë të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në institucionet më të larta të futbollit botëror dhe ka luajtur rol kyç në këtë proces të ndërlikuar dhe historik.
Gjatë asaj periudhe, përveç angazhimit të tij në Federatën e Futbollit të Kosovës, ai kishte zhvilluar edhe takime me ministrin e atëhershëm të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, me të cilin u dakorduam për hapat e përbashkët drejt anëtarësimit.
Në një darkë miqësore të zhvilluar në Prishtinë, patëm rastin të kujtojmë sfidat e shumta që kemi kaluar së bashku, si dhe sukseset që i kemi arritur falë përkrahjes së sinqertë të njerëzve me vizion si z. Champagne. Miqësia e tij me legjendën tonë të paharruar, Fadil Vokrri, si dhe afërsia me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, ishin vendimtare në ndërtimin e një mbështetjeje të fuqishme diplomatike për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Kontributi i tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës dhe ai do të mbetet përherë pjesë e saj.
Edhe sot, z. Champagne vazhdon të jetë mbështetës i çështjes sonë, duke ofruar ndihmë profesionale e organizative sa herë që i jepet rasti dhe aty ku përvoja e tij mund të bëjë ndryshim.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e pakursyer ndër vite, i dhurova atij një fanellë të Kombëtares së Kosovës. Ai na përgëzoi për të arriturat e deritanishme dhe për organizimin pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, si dhe na uroi fat dhe suksese në ciklin kualifikues të Kampionatit Botëror 2026.