Kombëtarja e Kosovës sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën B të Kombeve, por nuk do të lejohet të luajë kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, shkruan media kroate “24 sata”.
“Futbollistët e Kosovës mposhtën Islandën me rezultat 3:1 në Murcia të Spanjës dhe me rezultat të përgjithshëm 5:2 u kualifikuan në Ligën B të Kombeve, që është suksesi më i madh në historinë e kombëtares së Kosovës.
Ndeshja u luajt në Spanjë, ku kosovarët nuk patën një pritje të ngrohtë pasi spanjollët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e trajtojnë atë në mënyrë të ngjashme me komunitetet e tyre autonome të Katalonjës dhe Baskëve.
Kështu në tabelën e rezultateve para fillimit të ndeshjes ishte shkruar me fusnotë fjala “Kosovë” dhe në stadium nuk kishte fare flamur të Kosovës, gjë që më pas u korrigjua.
Kosovarët u prinë drejt fitores me kthesën e heroit Vedat Muriqi, i cili i shënoi të tre golat (në minutat 35, 45+3 dhe 79’), pasi Islanda kaloi në avantazh në minutën e 2-të me golin e Orri Oskarsson.
Meqenëse UEFA tashmë i ka ndaluar ndeshjet e Kosovës kundër Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Rusisë, dhe meqenëse Bosnja do të luajë në të njëjtin nivel të Ligës së Kombeve si Kosova sezonin e ardhshëm, është e qartë se takimet mes këtyre dy kombëtareve nuk do të jenë të mundshme. UEFA, për shembull, e ndaloi ndeshjen mes Spanjës dhe Gjibraltarit”, ka shkruar mes të tjera media kroate.