Shenoll Gunesh, është një prej kandidatëve për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kështu kanë raportuar të dielën mediumet në Turqi.
“Aspor” shkruan se trajneri turk, Gunesh ka marrë ofertë nga Federata e Futbollit e Kosovës. Sipas sajtit turk, krahas Guneshit në listë FFK-ja e ka edhe Roberto Carlosin.
“Shenoll Guneshit i ka ardhur një ofertë nga Përfaqësuesja e Kosovës. Thuhet se së bashku me Shenoll Guneshin në listën e Kosovës është edhe Roberto Carlosi, i cili ka luajtur për Fenerbahçen në Turqi dhe për një kohë ka punuar si trajner i Sivassporit dhe Akhisar Belediyespor”, shkruan ndër të tjera sajti turk.
Gunesh e ka një karrierë të jashtëzakonshme si trajner.
Ai e ka udhëhequr Kombëtaren e Turqisë më parë, në dy periudha.
71-vjeçari ka qenë trajner në disa skuadra turke, ndër to edhe gjiganti Beshiktash.