Kampionët e Kosovës në futboll po bëhen gati për rrethin e tretë eliminator në Ligën e Konferencës.
Ballkani ia bën sefte stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet për këtë vit, në një ndeshje zyrtare që zhvillohet në mbrëmje.
Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në facebook, klubi fton të gjithë tifozët në mbështetje, për ta shtruar rrugën e suksesit të radhës në UEFA Europa Conference League.
Përballë suharekasëve, më 8 gusht në Prishtinë, do të jenë kampionët e Irlandës së Veriut, FC Larne. Me këtë kundërshtar “Xhebrailat” u ballafaquan në dy duele edhe vitin e kaluar në kualifikimet e Konferencës evropiane, ku në të dyja takimet portokall e zinjtë shënuan fitore të thella (3-0 dhe 4-1).
Dy ndeshjet e para në kampanjën e sivjetshme të Evropës, Ballkani si vendas i zhvilloi në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, derisa UEFA dha dritën jeshile që stadiumi i kryeqytetit është gati.
Që suksesi i dy viteve të kaluara të përsëritet, duke shkuar deri në Grupet e UECL-së, kampionëve të Kosovës u duhet t’i kalojnë edhe dy kundërshtarë.
Triumfi eventual ndaj irlandezo-veriorëve, siguron fazën PLay-Off, aty ku edhe mund të sigurohet bileta e grupeve.
Ballkani – Larne zhvillohet më 8 Gusht dhe fillon në orën 20:00.