Lionel Messi rrezikon një fërkim të ri me Barcelonën, mbas përpjekjeve të tij për ta lënë klubin më herët, kësaj vere. Argjentinasi shfaq pakënaqësitë publike për largimin e Luis Suarez nga “Camp Nou”.
Ronald Koeman gjykoi se bomberi uruguajan ishte i tepërt për kërkesat e tij dhe menjëherë ia bëri të ditur vendimin përmes telefonit. 33-vjeçari u nda dje zyrtarisht me katalanasit, për ta vijuar karrierën të Atletico Madrid. Gjashtë vite të paharrueshme u arkivuan, teksa Suarez u largua nga dera e pasme.
Ai kishte krijuar miqësi të ngushtë, brenda dhe jashtë fushës së blertë, me Lionel Messin. Kjo lidhje tani është thyer, çka e ka mërzitur shumë kapitenin. Superylli i Barcelonës ka postuar në Instagram: “Unë tashmë kisha filluar ta imagjinoja, por sot hyra në dhomën e zhveshjes dhe më rezultoi e vërtetë. Do të jetë kaq e vështirë të mos vazhdoj të ndaj çdo ditë me ty, si në fushë, ashtu edhe larg saj. Do të na mungosh kaq shumë. Kemi kaluar shumë vite bashkë, shumë dreka dhe shumë darka. Kaq shumë gjëra nuk do t’i harrojmë kurrë, gjithë kohën që kemi kaluar së bashku.
Do të jetë e çuditshme të të shoh me një fanellë tjetër dhe shumë më tepër të jem kundër teje në fushë. Ju keni merituar një lamtumirë që përshtatet me atë që jeni; një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e klubit. Ju arritët gjëra të mëdha për ekipin dhe në planin individual. Nuk e meritonit që ata t’ju dëbojnë kështu, por e vërteta është se në këtë fazë asgjë nuk më habit më”.
Suarez shënoi 198 gola për Barcelonën në 283 ndeshje të luajtura në total. Shumë prej katalanasve janë habitur nga vendimi për ta larguar uruguajanin. Messi është në mesin e atyre që mbetën të zhgënjyer nga ky veprim i Barçës.