Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka kërkuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që të ndërmarrë aksion për lirimin e pronave të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë, në të cilat ndodhet edhe selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Peci ka thënë se 700 metra katrorë në lagjen Ulpiana të Prishtinës, të cilat i takojnë Institutit Bujqësor të Kosovës, po vazhdojnë të keqpërdoren.
Në një shkrim në Facebook të hënën, ministri Peci ka kritikuar Prokurorinë e Shtetit për neglizhencë ndaj denoncimeve të deponuara në prokurori nga Ministria e Bujqësisë lidhur me objektet në Ulpianë.
“Janë bërë më shumë se 7 muaj prej që kemi denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokale afariste në zemër të Prishtinës, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë. Veprimtari që ushtrohet kundërligjshëm sepse ska se si të jetë ndryshe kur edhe kundërligjshëm janë ndërtuar e po në atë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se oborri i njërit prej objekteve, të cilat shfrytëzohen me qera, është shndërruar në depo.
Për këtë çështje, ai ka thënë se është pajtuar me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramën, që të ndërmarrë një aksion përmes inspektoratit për lirimin e pronave të Ministrisë.
“Përveç provave të deponuara në polici e prokurori, ndihmë rreth kësaj çeshtjeje kemi kërkuar edhe nga Kryetari i Prishtinës me të cilin jemi dakorduar që ta ndërmarrë një aksion përmes inspektoriatit”, ka thënë Peci.
Megjithatë, Peci ka pohuar se, përkundër dakordimit, nuk ka marrë ende përgjigje nga Rama.
“Përkundër dakordimin me gjasë nuk i ka pa edhe 3 kërkesat e drejtuara përmes emaili, që ta lirojë pronën e Ministrisë dhe t’ia kthejë titullarit. Ata që i kanë lejuar dhe mundësuar këto veprimtari janë emra të përvetshëm e që prokuroria i posedon me fakte”, ka deklaruar ai.