I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në ditët në vazhdim do të flasin me forcat politike, që janë të interesuara “për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij”.
Kështu, ish-kryeministri kosovar ka dhënë sinjalet e para se dëshiron të zgjerojë ekzekutivin të cilit i prin Avdullah Hoti.
“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij. Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi”, shkroi ai në Facebook të shtunën mbrëma.
Tutje, ish-kryetari i kryeqytetit të Kosovës tha se në betejën ndaj Serbisë, në veçanti pas njoftimit për ngritjen e aktakuzave ndaj Thacit e Veselit, spektori politik në Kosovë duhet të bëhen bashkë.
“Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe depërtimi”, tha ai.
Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook:
Të nderuar miq
Po e postoj tekstin e plotë, të cilin sot ia dhashë gazetarit të KTV-Së:
Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës.
Krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit sikurse edhe dhunime dhe gjenocid në Kosovë kanë kryer forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Për fat të keq, paralajmërimi i Prokurorisë së Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale flet për një betejë të gjatë të Kosovës me Serbinë, jo vetëm për tu gjykuar individë por për tu mbrojtur e vërteta historike.
Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.
Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar.
Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.
Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi.