Superliga A në të dyja konkurencat, do ta nisë aventurën e re, për edicionin 2023/24, gjatë ndeshjeve që janë në program në fundjavë.
Në konkurencën e djemve, vie super përballja mes Dritës dhe Pejës, që do të jetë edhe derbi i javës së parë, i planifikuar të zhvillohet të dielën në orën 18:00.
Në ndeshjen tjetër, në Suharekë, Golden Eagle Theranda e pret fituesin e Superkupës, KV Skënderbeu, në takimin e planifikuar të shtunën në orën 18:30.
Ndërkohë në palestrën “Better Life” në Lipjan, të shtunën nga ora 20:00, Ulpiana vendase, ndeshet me Ferizajn.
Në Superligën A të vajzave, në javën e parë veçohet dueli në Gjilan, mes Fer Volley e KV Drita, i planifikuar për të dielën në orën 18:00.
Fer Volley e luan takimin në Gjilan në cilësinë e vendasit, në pamundësi për të luajtur në qytetin e Ferizajt.
Fushë Kosova që hyn poashtu me ambicie në këtë edicion, ndeshet me KV Prishtina ‘75 (ish-M Technologie), takim ky i planifikuar për të shtunën në orën 17:00.
Klubi me nam KV Kastrioti, i rikthyer në Superligën A, në ndeshjen e parë të edicionit të ri ndeshet me nënkampionin e Kosovës KV Skenderaj, të shtunën nga ora 19:00.
Edhe Kastrioti e luan takimin në Skenderaj, në pamundësi për të luajtur në qytetin e Ferizajt.
Edicioni 2023/24 në të gjitha rangjet e garave të volejbollit, do të sjellë për herë të parë aplikimin e proceseve elektronike “e-scoresheet”, përmes së cilave, volejbolli i vendit tonë bën një hap të madh drejt digjitalizimit dhe ofrimit të të dhënave në kohë reale, për secilën ndeshje.