Sot jatë ditës do të zhvillohen tri ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Albanian News.
Me kërshëri të madhe pritet ndeshja e edicionit, në Gjilan e cila e merr e gjithë vëmendjën, aty ku takohen Drita e Ballkani.
Kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese sa i përket skuadrës kampione.
Këtë përballje, gjilanasait e nisin si lider, me tre pikë më shumë se kampionët në fuqi, të portokalltit, që janë të dytit.
Tri fitoret radhazi të Dritës, e dy barazimet rresht të Ballkanit, kanë bërë që ta kemi këtë renditje në tabelë.
Takim tjetër interesant pritet të jetë edhe ajo në kryeqytet, mes Prishtinës dhe Gjilanit, dy skuadrave në garë për dalje në Evropë.
Të kuqtë nga Gjilani janë të tretit në tabelë dhe kanë shtatë pikë më shumë se prishtinasit, që momentalisht pozicionohen të pestit.
Ndeshja tjetër për sot do të zhvillohet në Podujevë, me Llapin që në shtëpi e pret Ferizajn. Llapjanët nuk dinë për fitore tash e katër javë dhe kjo formë e dobët e tyre kanë bërë që të jenë larg një vendi në Evropë, plot nëntë pikë.
Në anën tjetër, pas tri humbjeve rresht, në mesjavë Ferizaj arriti fitore, por është ende në zonën e rrezikshme.
Të tri këto takime do të nisin nga ora 15:00.