Sulmuesi argjentinas Angel Di Maria ka marrë një kërcënim në shtëpinë e tij familjare në periferi të Rosarios.
Mediat vendase thanë se kërcënimi vjen mes një vale intensive të dhunës së lidhur me drogën në qytetin nga i cili vjen edhe Lionel Messi.
Kërcënimi erdhi një javë pasi Di Maria, që tani luan për kampionët portugez Benfica, tha se do të dëshironte ta përfundonte karrierën e tij në klubin e tij të fëmijërisë, Rosario Central. Në letrën kërcënuese që u gjet para shtëpisë së tij shkruhej:
“Thuaji djalit tënd Angel që të mos kthehet në Rosario sepse ne do të vrasim një anëtar të familjes. As Pullaro nuk do t’ju shpëtojë”, duke iu referuar guvernatorit të provincës, Maximiliano Pullaro. “Ne nuk lëmë shënime letre. Ne lëmë plumba dhe njerëz të vdekur pas”.
Motivi i kërcënimeve mbetet i paqartë dhe policia ende nuk ka një pistë hetimi. Një makinë la tabelën që mbante mesazhin drejtuar familjes Di Maria përballë lagjes private ku zakonisht qëndron 36-vjeçari.
Rosario, një nga qendrat më të mëdha të agro-porteve në botë, po përballet me dhunë masive pasi grupet e trafikut të drogës e shohin atë si një rrugë për dërgimin e drogave të paligjshme në vende të tjera. Javën e kaluar, qeveria argjentinase tha se do të dërgonte një projekt-ligj në Kongres për të lejuar forcat e armatosura të ndërhynin në operacionet e sigurisë së brendshme për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin në Rosario.