Gjithmonë nëpër përralla kemi lexuar shprehjen: dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë. E tillë ishte dhe historia e Neritanit dhe Dhuratës, të cilët edhe pse ishin martuar me mblesëri kishin arritur ta donin dhe respektonin njëri-tjetrin.
Neritani në fillim kishte hezituar që te fejohej pasi ishte shumë i ri, vetëm 18- vjeç por pasi kishte biseduar me Dhuratën kishte kuptuar se së bashku do ia dilnin çdo sfide dhe se do të ishin të lumtur. Për shkak të disa mosmarrëveshjeve familjare babai i Dhuratës kishte kërkuar që ata të ndaheshin dhe për këtë arsye Neritani e kishte rrëmbyer atë duke mos bërë një dasmë.
Për të realizuar këtë ëndërr të bashkëshortes së tij për t’u veshur me të bardha, Neritani i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”.
“Kemi kaluar 20-vite sëbashku mësuam në këto vite të duam njëri-tjetrin, jam përpjekur të të ndihmoj, të të qëndroj pranë. Faleminderit qe je kujdesur për prindërit e mi dhe për fëmijët tanë. Uroj që të kalojmë edhe shumë vite të tjera sëbashku. Të dua”, ishin fjalët e Neritanit për Dhuratën.
Për ta bërë këtë moment të paharruareshëm për çiftin, programi “Dua të të bëj të lumtur” e kishte shndërruar studion në një sallë të vërtetë dasme dhe ku të pranishëm ishin disa nga familjarët e tyre. I ftuari suprizë për Dhuratën dhe Neritanin ishte këngëtari i dashur për publikun shqiptar, Gena i cili u shpreh: “I uroj çiftit të kenë dashuri dhe gëzime në jetë pasi familja është gjëja më e shenjtë në botë”.