Orët e para të se dielës së 24 shtatorit të vitit 2023, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit nga persona të maskuar, uniformuar e armatosur rëndë.
Nga ky sulm terrorist, mbeti i vrarë rreshteri u Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se me provat e siguruara dëshmohet që grupi terrorist ishte i mbështetur nga shteti i Serbisë.
“Në njërin nga këta dronë, gjinden edhe incizimet e fshira paraprakisht, por të kthyera nga ekspertët tanë të trajnimeve të këtij grupi në kazermën zyrtare të Ushtrisë së Serbisë në Paslonjske Livade”, tha ai për Top-Channel.
Kreu i MPB-së thotë se nuk është i kënaqur me punën e Prokurorisë Speciale e cila ka ngritur aktakuzë për 45 persona përfshirë edhe Milan Radoiçiqin si organizator i sulmit, për vepra kundër rendit kushtetues, terrorizëm, financim të terrorizmit e shpëlarje të parave.
“Është për çudi se si në aktakuzë nuk përfshihen zyrtarët e Serbisë të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të implikuar në këtë rast, kur përmendet Paslonjske Livade, ku është komandanti i saj, ku është zëvendëskomandanti i saj, ku është komandanti i Ushtrisë së Serbisë? Me pajisje të Ushtrisë së Serbisë grupi i Radoiçiqit është trajnuar, janë incizimet, janë publike”.
Një vit pas sulmit terrorist që sipas institucioneve kishte për synim aneksimin e territorit verior të Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme thotë se situata e sigurisë është e qetë, por nuk anashkalon mundësinë e sulmeve të tjera.