Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit nga radhët e PDK-së, Blerand Kadrijaj, i cili mbeti pa shenja jete sonte gjatë një gjuajtje me armë zjarri në Pejë, është kushëriri i deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.
Këtë e ka konfirmuar vetë deputetja e AAK-së, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“E tronditur thellë me ngjarjen që ndodhi në Pejë e ku mbeti pa shenja jete kushëriri i jonë Blerand Kadrijaj”, ka shkruar Kadrijaj.
Ajo e ka përshkruar Blerandin si një djalë të sjellshëm e të shkolluar, duke thënë se ka qenë i respektueshëm dhe i dashur për rrethin dhe shoqërinë.
Kadrijaj i ka shprehur ngushëllime familjes dhe shoqërisë së viktimës, duke uruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Kujtojmë se nga gjuajtja me armë zjarri në Pejë ka mbetur i pa shenja jete edhe kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga PDK, Astrit Ademaj, ndërsa është plagosur vëllau i tij.
Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar një person, ndërsa hetuesit po vazhdojnë punën rreth zbardhjes së plotë të rastit.