Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka shkruar për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të mbajtura një vit më parë.
Osmani ka thënë se 6 tetori ka shënuar kthesën më të madhe politike në 15 vjetët e fundit.
“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme”, ka shkruar kryekuvendarja në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se vullneti qytetar i një viti më pas është përdhosur dhe vota e tyre është tjetërsuar.
“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar”, ka thënë Osmani.
Kryetarja e Kuvendit, po ashtu, është shprehur se megjithatë vullneti i qytetarëve do të kthehet fuqishëm për ta shkapur Kosovën nga ata që e mbajnë të uzurpuar.
“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, ka shkruar ajo.