Kombëtarja e Kosovës U17 po i zhvillon përgatitjet e fundit para raundit të dytë kualifikues të Kampionatit Evropian.
Në janar të këtij viti, ekipi me vashat e reja “Dardane”, nën drejtimin e legjendës së volejbollit botëror, Donald Suxho, shkroi historinë duke arritur që për herë të parë të sigurojë këtë fazë kualifikuese të kompeticionit më të rëndësishëm evropian për Kombëtare.
Kosovaret arritën tre fitore radhazi në raundin e parë kualifikues, duke siguruar raundin e dytë, i cili do të zhvillohet mes datave 20-23 prill.
Federata e Volejbollit të Kosovës do të jetë organizatore e ndeshjeve të Grupit E ku, përveç Kosovës, marrin pjesë edhe Kombëtaret tejet kualitative si Ukraina, Belgjika dhe Estonia.
Tashmë lista me 14 volejbollistet e përzgjedhura është publikuar, ndërsa më poshtë mund të gjeni orarin dhe datat e të gjitha ndeshjeve të Grupit E.
FVK i uron fat dhe kualifikim historik vashave.